Secondary Adv

Inflacioni në Eurozonë mbetet i pandryshuar në 2 për qind, ndërsa çmimet e energjisë vijojnë rënien

Inflacioni vjetor në Eurozonë mbeti në 2.0% në korrik 2025, i pandryshuar për të dytin muaj radhazi dhe në linjë me objektivin e BQE-së.


Inflacioni vjetor në Eurozonë ishte 2.0% për muajin korrik 2025, duke qëndruar i pandryshuar nga muaji qershor për të dytin muaj radhazi në përputhje me objektivin e Bankës Qendrore Europiane.

 

Sipas të dhënave përfundimtare të publikuara nga Eurostat, indeksi i çmimeve të konsumit mbeti i qëndrueshëm në baza mujore, pa asnjë ndryshim nga qershori, kur u regjistrua një rritje 0.3%.

 

Krahasuar me një vit më parë, inflacioni në Eurozonë ka rënë ndjeshëm nga niveli 2.6% që ishte në korrik 2024. Në të njëjtën periudhë, inflacioni në Bashkimin Europian u rrit lehtë në 2.4%, nga 2.3% në qershor, por gjithsesi mbeti nën nivelin 2.8% të një viti më parë.

 

Brenda Eurozonës, kontributin më të madh në normën vjetore të inflacionit e dhanë shërbimet, me +1.46 pikë përqindjeje, të ndjekura nga ushqimet, alkooli dhe duhani (+0.63 pp), mallrat industriale jo-energjetike (+0.18 pp), ndërsa energjia pati një ndikim negativ -0.23 pp.

 

Ndër vendet anëtare të BE-së, normat më të ulëta të inflacionit u regjistruan në Qipro (0.1%), Francë (0.9%) dhe Irlandë (1.6%), ndërsa më të lartat u shënuan në Rumani (6.6%), Estoni (5.6%) dhe Sllovaki (4.6%).

 

Krahasuar me muajin paraardhës, inflacioni vjetor ra në tetë vende anëtare, mbeti i qëndrueshëm në gjashtë dhe u rrit në trembëdhjetë të tjera.

 

Çmimet e ushqimeve, alkoolit dhe duhanit u rritën me 3.3% krahasuar me korrikun e kaluar, një përshpejtim krahasuar me rritjen 3.1% të regjistruar në qershor. Inflacioni në sektorin e shërbimeve u ngadalësua lehtë në 3.2%, nga 3.3%, ndërsa çmimet e mallrave industriale jo-energjetike u rritën me 0.8%, krahasuar me 0.5% muajin paraardhës.

 

Çmimet e energjisë, ndërkohë, vijuan të jenë në rënie, por me një ritëm më të ngadaltë, me një deflacion -2.4% nga -2.6% në qershor.

 

Norma bazë e inflacionit, që përjashton energjinë, ushqimet, alkoolin dhe duhanin, mbeti e pandryshuar në 2.3% për të tretin muaj radhazi, niveli më i ulët që prej janarit 2021.

 

Në një zhvillim paralel, Mbretëria e Bashkuar përjetoi një rritje të papritur të inflacionit, duke e çuar normën vjetore në 3.8% për korrikun 2025, nga 3.6% në qershor.

 

Rritja u nxit nga çmimet më të larta të ushqimeve dhe shpenzimet për udhëtime, duke rritur shqetësimet se Banka e Anglisë mund të shtyjë uljen e mëtejshme të normave të interesit. Inflacioni në Britani ka qëndruar mbi objektivin 2% të bankës qendrore për të dhjetin muaj me radhë.

 

Të dhënat e fundit sinjalizojnë një stabilizim të inflacionit në Eurozonë dhe një qëndrueshmëri të përkohshme të çmimeve, ndërkohë që presioni mbi politikat monetare në vende të ndryshme të Europës mbetet i lartë.  /Monitor(https://monitor.al/inflacioni-ne-eurozone-mbetet-i-pandryshuar-ne-2/)


Më të lexuarat